Destinacioni i radhës i Albanian ICT Awards ishte një i ri, dhe kjo e bëri disi të veçantë këtë takim.

Pasi vizitoi Shkupin dhe Tetovën ditën e djeshme ICT Awards u rikthye në Prishtinë në një takim të hapur informativ me studentë dhe profesionistë të institutit më të ri arsimor në Kosovë, shkollës profesionale Cacttus Education.

Themeluar më 1 Korrik 2016, Cacttus Education është një projekt i kompanisë Cacttus e cila ofron shërbime dhe produkte në fushën e teknologjisë prej 14 vitesh në Kosovë.

Është një prej shkollave të pakta profesionale në fushën e teknologjisë në Kosovë dhe si rezultat interesimi i studentëve të parë të këtij institucioni për Albanian ICT Awards nuk kishte si të ishte ndryshe përveçse inkurajues dhe motivues.

Takimi u mbajt në ora 16:45 dhe përgjatë 60 minutave drejtuesit e Albanian ICT Awards prezantuan 8 kategoritë e këtij edicioni si dhe kriteret e vlerësimit dhe shpërblimet që ofron kjo garë për fituesit.

Edicioni i pestë jubilar i Albanian ICT Awards hapi aplikimet në tetë kategori: ICT Inovacioni i Vitit, ICT Mobiliteti i Vitit, ICT Diploma e Vitit, ICT Ylli në Ngritje i Vitit, ICT Shërbimi Publik i Vitit ICT Akademiku i Vitit, Femra e Vitit në ICT dhe çmimi i ri ICT Cyber Security.

Cacttus Education shënoi takimin e 7-të në kuadër të thirrjes që gara mbarëkombëtare u drejton të apasionuarve, profesionistëve të dalluar, studentëve, akademikëve dhe së fund edhe ekspertëve të sigurisë për tu bërë pjesë e këtij komuniteti shqiptarësh nga bota e teknologjisë.

Nëser vijon takimi radhës dhe tashmë tradicional i cili organizohet prej disa vitesh, ai me studentët e Universitetit AAB në Prishtinë.

Aplikimet qëndrojnë të hapura deri më datë 31 Mars. Nxitoni për çmimin tuaj duke aplikuar në formularin online në www.ictawards.org.

Linku me foto të plota në Facebook: https://www.facebook.com/pg/ictawards.org/photos/?tab=album&album_id=764583347031527