Një javë më parë edicioni i pestë jubilar i një inovacioni që flet shqip çeli turin e takimeve disa javore të cilat organizohen tradicionalisht çdo vit në kërkim dhe identifikim të shqiptarëve të suksesshëm në teknologji.
Organizuar pranë ambienteve të Oficina, ky takim ishte hapi i parë i një rrugëtimi të gjatë dhe një eksperience unike që pret mbarë komunitetin e Albanian ICT Awards.

Java e parë e muajit Mars solli tre takime, dy në Prishtinë – në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës dhe Kolegjin Riinvest – dhe një në Gjakovë pranë Qendrës BONEVET.
Me 1 Mars, ekipi organizativ i garës pati kënaqësinë e një bashkëbisedime të ngrohtë me studentët e shkëlqyer të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës. I pranishëm ishte udhëheqësi i departamentit Prof. Dr. Blerim Rexha, akademiku i vitit në Abanian ICT Awards IV dhe Koordinatori i Albanian ICT Awards, z. Ardian Alaj.

ICT Diploma e Vitit, ICT Mobiliteti i Vitit dhe ICT Inovacioni i Vitit ishin kategoritë të cilat tërhoqën më së shumti vëmendjen e studentëve të FIEK.
Të Enjten e datës 2 Mars Kolegji Riinvest mirëpriti për vitin e tretë me radhë ekipin organizativ të konkursit. I pranishëm në këtë aktivitet, Prof. Dr. Shkelzen Cakaj motivoi studentët e këtij kolegji ti bashkohen ICT Awards si një mundësi e artë ku mund të dëshmojnë kreativitetin dhe arritjet e tyre.
z. Cakaj u shpall ICT Hulumtuesi i Vitit në edicionin e vitit të kaluar të Albanian ICT Awards.
Qendra Bonevet mbylli të Premten takimet e kësaj jave kur organizatorët udhëtuan drejt Gjakovës. Një qytet i vogël, yjet të cilit nuk kanë reshtur së impresionuari jo vetëm jurinë e Albanian ICT Awards por mbarë komunitetin e ICT-së në Shqipëri, Kosovë dhe më gjërë.

Kategoria ICT Ylli në Ngritje do të jetë testi i vërtetë për këta të rinj të cilët kërkojnë ta mbajnë këtë çmim përsëri në Gjakovë për vitin e dytë me radhë.
Thirrja e Albanian ICT Awards rikthehet në Hënën, më 6 Mars në Universitetin e Evropës Juglindore në Shkup dhe Tetovë të Maqedonisë, më 7 Mars për herë të parë në Cacttus Education dhe më 9 Mars në Kolegjin AAB.
Aplikimet të cilat u hapen me 27 Janar, krahas kategorive tradicionale sollën një çmim risi, ICT Cyber Security of the Year. Ato do të qëndrojnë të hapura deri më 31 Mars dhe bëhen online përmes faqes zyrtare, www.ictawards.org. /ICT Awards /ICTSmedia

Rreth Albanian ICT Awards
Albanian ICT Awards është një garë mbarëkombëtare unike për nga karakteri dhe dedikimi, që ka për synim identifikimin, shpërblimin dhe promovimin e profesionistëve të dalluar, udhëheqësve të suksesshëm të bizneseve, inovatorëve, akademikëve dhe të rinjve entuziast në fushën e ICT-së. Sistemi shpërblyes i këtij evenimenti realizohet përmes një përzgjedhje të paanshme dhe rigoroze nga një juri e përbërë nga figura të shquara të komunitetit ICT në vend, bazuar në kritere të veçanta etike dhe profesionale të vlerësimit.

Rreth ICTSmedia
ICTSmedia si një shtëpi botuese lider në botimet mediatike në fushën e Teknologjisë, Informacionit, Komunikimit dhe Sigurisë. Këtë vit prezanton edicionin e 5-të vjetor kombëtarë të evenimentit shpërblyes “Albanian ICT Awards V.”