Në kërkim të identifikimit dhe shpërblimit të maratonomakëve të teknologjisë së informacionit në trevat shqiptare ishte misioni fisnik i një iniciativë e cila mori jetë në 2012-ën me edicionin e parë.
Ishte ky mision që dërgoi thirrjen e çdo edicionit të Albanian ICT Awards në çdo cep të Shqipërisë dhe Kosovës e në mbarë trevat ku jetojnë shqiptar e ku flitet gjuha shqipe. Tre javë që nga hapja e këtij turi tradicional, arriti në 8 numri i takimeve në kuadër të edicionit të 5-të jubilar të kësaj gare.

Albanian ICT Awards me shqiptarët në Shkup dhe Tetovë

Më 6 Mars Albanian ICT Awards udhëtoi drejt Maqedonisë, ku u takua me studentët dhe stafin pedagogjik të Universitetit të Evropës Juglindore në qytetin e Shkupit dhe Tetovës.
Gara bashkoi shqiptarët duke afirmuar karakterin e saj mbarëkombëtar dhe hapur dyert për çdo inovacion dhe kreativitet që flet shqip pavarësisht vendit ku jetojnë.

Takimet filluan në ora 09:30 në Shkup për tu pasuar në 11:30 në Tetovë pranë Parkut Teknologjik të SEEU. Krahas prezantimit të kategorive u demonstruan disa prej projekteve që pritet të konkurrojnë në këtë edicion.
Parku Teknologjik i Universitetit të Evropës Juglindore është një nga partnerët dhe mbështetësit e Albanian ICT Awards.

Më 7 dhe 9 Mars në Cacttus Education dhe AAB

Më 7 Mars në një takim të hapur informativ me studentë dhe profesionistë të institutit më të ri arsimor në Kosovë, shkollës profesionale Cacttus Education, thirrja e Albanian ICT Awards nuk kishte si të ishte ndryshe përveçse inkurajuese dhe motivuese.

Themeluar më 1 Korrik 2016, Cacttus Education është një projekt i kompanisë Cacttus e cila ofron shërbime dhe produkte në fushën e teknologjisë prej 14 vitesh në Kosovë.

Të enjten e datës 9 Mars përfaqësuesit e garës ishin në Kolegjin AAB, një prej institucioneve arsimore private me më eksperiencë në edukim e veçanërisht në edukimin me teknologjinë.

Në këtë takim i cili u organizua pranë ambienteve të Kampusit të Ri Universitar të këtij institucioni, drejtuesit e garës u shoqëruan në prezantimin e tyre nga Dekanja e Fakultetit të Shkencave të Natyrës Blerta Prevalla dhe akademiku i vitit në Albanian ICT Awards IV, Prof. Dr. Shkelzen Caka.

Unik për nga karakteri, Albanian ICT Awards është një prej titujve më të dëshiruar dhe kërkuar nga udhëheqësit e bizneseve, inovatorët, akademikët, të rinjtë entuziastë të kësaj fushe dhe të gjithë atyre që kanë kontribuar në zhvillimin e zgjidhjeve teknologjike tërësisht shqiptare

Takimet do të vijojnë më 14 Mars në akademinë jCoders dhe më 16 Mars në Kosovën Lindore dhe më 17 Mars gara rikthehet në Shqipëri, në qytetin verior të Shkodrës.
Aplikimet janë të hapura deri më datën 31 Mars vetëm në formatin online përmes www.ictawards.org në tetë kategori: ICT Inovacioni i Vitit, ICT Mobiliteti i Vitit, ICT Diploma e Vitit, ICT Ylli në Ngritje i Vitit, ICT Shërbimi Publik i Vitit, ICT Akademiku i Vitit, Femra në ICT dhe çmimi i ri ICT Siguria Kibernetike.


Rreth Albanian ICT Awards
Albanian ICT Awards është një garë mbarëkombëtare unike për nga karakteri dhe dedikimi, që ka për synim identifikimin, shpërblimin dhe promovimin e profesionistëve të dalluar, udhëheqësve të suksesshëm të bizneseve, inovatorëve, akademikëve dhe të rinjve entuziast në fushën e ICT-së. Sistemi shpërblyes i këtij evenimenti realizohet përmes një përzgjedhje të paanshme dhe rigoroze nga një juri e përbërë nga figura të shquara të komunitetit ICT në vend, bazuar në kritere të veçanta etike dhe profesionale të vlerësimit.

Rreth ICTSmedia
ICTSmedia si një shtëpi botuese lider në botimet mediatike në fushën e Teknologjisë, Informacionit, Komunikimit dhe Sigurisë. Këtë vit prezanton edicionin e 5-të vjetor kombëtarë të evenimentit shpërblyes “Albanian ICT Awards V.” /ICT Awards/ICTSmedia