Pas disa ditësh prezent në Tiranë, siç u bëmë me dije, ekipi i Albanian ICT Awards u drejtua për në Prishtinë ku mbajti edhe një forum të hapur me profesionistët e IT-së të mbarë Kosovës në ambientet e Ministrisë së Administratës Publike. Takimi u organizua nga ICTSmedia dhe gëzoi gjithë mbështetjen e Agjensisë së Shoqërisë së Informacionit.
Por ditën e sotme, ekipi i Albanian ICT Awards pati kënaqësinë të gjendej përballë studentëve të Universitetit për Biznes dhe Teknologji (UBT) në Prishtinë. Siç ju kemi vënë në dijeni më parë dhe tani kjo është pjesë e traditë së konkursit mbarëkombëtar Albanian ICT Awards, qëllimi i organizimit të këtyre takimeve është informimi i aplikuesve potencial të moshave dhe profileve të ndryshme me detajet e Albanian ICT Awards. Pikërisht kjo ka qenë edhe motoja jonë: Në kërkim të promovimit të vlerave të shoqërisë së informacion dhe jo vetëm në Kosovë dhe Shqipëri po në mbarë trevat shqipfolëse.
Ishte Dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike Prof. Muzafer Shala i cili foli per punën dhe aktivitetet e universitetit UBT duke ju bërë thirrje studentëve që të aplikojne në Albanian ICT Awards. Prof. Shala gjithashtu shprehu gatishmërinë që zyra e karrieres e cila funksionon brenda Universitetit UBT do të jetë në dispozicion të studenteve për t’ju ndihmuar rreth kompletimit sa më të mirë të dokumentacionit për të aplikuar në Albanian ICT Awards.
Takimi vazhdoi me një fjalë rasti nga znj. Blerta Vula si përfaqësuese e ICTSmedia e cila fjalimin e saj ia dedikoi inkurajimit të studentëve për të aplikuar në këtë garë. Ishte po zj. Vula që prezantoi edhe kategorinë ICT Femra Inovatore e Vitit duke vlerësuar potencialin e lartë të femrave të UBT-së të cilat mund të aplikojnë në këtë kategori.
Koordinatorët e eventit të Albanian ICT Awards vazhduan më pas me prezantimin e kategorive, kriteret e vlerësimit, benefitet dhe afatin e aplikimeve për Albanian ICT Awards.
Në pjesën e fundit të prezantimeve, dekani i fakultetit prof. Shala na prezantoi me robotët kërcimtar të cilët janë pjesë e krijimtarisë së UBT-së. Prezantimin e tyre e vazhdoi koordinatori i Robotikes pranë këtij Universiteti, Lavdim Menxhiqi i cili është edhe pjesë e stafit akademik te UBT-së. Ai zbuloi disa nga funksionet dhe aktivitetet kyçe të roboteve të cilat janë në dispozicion të studentëve. U prezantuan në detaje funksionet e roboteve duke demonstruar live eksluzivisht në këtë takim të organizuar me qëllim të informimit dhe nxitjes se studenteve për të aplikuar në Albanian ICT Awards.
Ajo ç’ka vlen të theksohet është se në këtë takim u vu re një potencial i lartë aplikimesh në disa kategori siç janë: ICT Inovacioni i Vitit, ICT Mobiliteti i Vitit, ICT Diploma e Vitit.
Prezantimi në UBT startoi në ora 13:30 dhe zgjati afro 1 orë për tu konkluduar në ora 14:30. Organizatorët e Albanian ICT Awards inkurajuan dhe ofruan mbështetje fuqimisht për studentët që shfaqën dëshirën për të qënë pjesë në konkursin mbarëkombëtar në fushën e teknologjisë së informacionit. Ju bëjmë me dije se aplikimet në Albanian ICT Awards do të jenë të hapura gjer më 31 Mars, ora 12:00. Gjithashtu, takimet do të vijojnë në datat 19 Mars në Universitetin AAB dhe 20 Mars do të jemi tek Universum në Prishtinë. (ICTSmedia / ICT Awards)
Fotogalerinë e plotë mund të shikoni duke klikuar KËTU