foto1

 

Albanian ICT Awards u finalizua mbrëmjen e së premtes, më 15 maj, me evenimentin tradicional të Mbrëmjes Gala ku bëhet edhe kurorëzimi i fituesve në shtatë kategoritë që kanë qenë edhe objektivi i të gjithë aplikantëve. Ky konkurs mbarëkombëtar, njëkohësisht edhe vlerësimi më i lartë individual në sektorin TIK në hapësirën mbarëshqiptare ka finalizuar përpjekjet disa mujore në kërkim të yjeve inovatorë të teknologjisë së informacionit në mbarë trevat shqipfolëse.

foto2Në këtë ceremoni nderuan me pjesëmarrjen e tyre ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike të Shqipërisë, Milena Harito, ministrja e Punës dhe Mirëqënies Sociale në Kosovë, Rita Haizeraj, ish-ministri Mirëqënies Sociale dhe Rinisë së Shqipërisë, Erion Veliaj, përfaqësues të trupit diplomatike të SHBA-ve, udhëheqës të bizneseve dhe organizatave të industrisë së TIK nga Shqipëria e Kosova, si dhe profesionistë të IT-së, akademikë, përfaqësues të universiteteve dhe medias.

Në vitin e tretë, konkursi mbarëkombëtar Albanian ICT Awards shpalosi edhe njëherë gjithë potencialin që zotërojnë trevat shqipfolëse në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit. Me promovimin e këtyre të rinjve inovatorë, Albanian ICT Awards ka përmbushur qëllimin kryesor të identifikimit dhe shpërblimit të këtyre maratonomakëve të sektorit ICT në trevat Shqiptare.

foto3Hapja e mbrëmjes Gala u bë me transmetimin e një video në fokus të së cilës qëndronin momentet më të rëndësishme të Albanian ICT Awards ndër vite. Më pas fjalën e mori moderatori i evenimentit,  Genti Zotaj për ti lënë vendin një tjetër videoje përmbledhëse këtë herë dedikuar edicionit të tretë të ICT Awards.

foto4Duke qenë njëkohësisht edhe kryetare e Jurisë, Prof. Dr. Kozeta Sevrani ngriti siparin e disa prej fjalimeve të personaliteteve të shquara. Ajo u shpreh se për jurinë nuk kishte qenë aspak e lehtë të vendoste. “Në themel të gjykimit dhe vlerësimit të projekteve qëndronte paanshmëria dhe profesionalizimi,” u shpreh ajo. Sevrani tha se jo pakë herë juria ishte befasuar nga niveli teknik dhe profesional që zotëronin disa prej projekteve të paraqitura. Ajo gjithashtu shprehu falenderimet e saj ndaj ICTSmedia për kontributin që Albanian ICT Awards po jep për shqiptarët.

foto5Albanian ICT Awards u organizua në kuadër të Javës së Inovacionit falë  marrëveshjes së mirëkuptimit që kishte me Ministrinë e Inovacionit. Dhe pavarsisht një jave intensive, drejtuesja e këtij institucioni, Milena Harito ndër të tjera tha “Pavarësisht se gjendemi në një javë mjaft intensive, si mund të mungoja në Natën Gala të Albanian ICT Awards.” Ajo shprehu kënaqësinë e saj për këtë rini innovative e cila është ashtu siç duan ta shohim të gjithë ne, një promotore e suksesit mbarëkombëtar. Zj. Harito vuri theksin tek një rini bashkëkëhore e cila po ec me hapa të shpejtë dhe për këtë ajo përmendi edhe fitoren e ekipit Kosovar në konkursit Nasa Space Apps Challenge, NatEv. Fjalimin e saj e mbylli me një motivim për të gjithë të rinjë duke thënë: “Mos shikoni nesër por shikoni pasnesër sepse teknologjia ecën me një ritëm të paimagjinueshëm.”

Mëpas edhe Zv. Ministrja e Punës dhe Mirëqënies Sociale në Republikën e Kosovës, Rita Haizeraj, shprehu admirimin e saj për Albanian ICT Awards.

Ishte Enkelejd Zotaj, Drejtor pranë departamentit të IT-së tek Raiffeisen Bank që filloi ndarjen e çmimeve ku zbuloi se fituesi i ICT Inovacioni i Vitit do të ishte Mërgim Cahani. Kompania e këtij djaloshi quhet Gjirafa e cila është Makinë Kërkimore në Gjuhën Shqipe dhe në një periudhë të shkurtër ka filluar të bëhet një ndër platformat më të rëndësishme nga shqipfolësit nga mbarë bota. Per momentin, ky aplikacion ka rreth 200, 000 përdorues unik, një popullaritet ky që vazhdon të rritet. Mërgimi udhëheq një grup prej 16 personash dhe planifikon që deri në fund të vitit të shtohen edhe 20 persona të tjerë. Në këtë kategori u nominuan edhe Ridvan Aliu (almooc) dhe Gelirt Ramadani (Albanian World Clock).

foto6Në kategorinë ICT Ylli në Ngritje i Vitit ishte ish-ministri i Mirëqënies dhe Rinisë, Erion Veliaj që i dorëzoi 16 vjeçarit Kelvin Çobanaj nga Durrësi çmimin përkatës. Aktualisht studion në gjimnazin “Konica” Durrës, dhe është në vitin e parë. Kelvini programon në më shumë se 20 gjuhë programimi. Kjo është hera e dytë për Kelvinin që konkuron në “ICT Awards”. Projekti fitues ishte “Enter Style Lend” është një kompani veshjesh me qera me seli në San Francisco, ku Kelvini është pjesë e rendësishme inxhinierike e saj. Të nominuar ishin edhe dy 18-vjecarë të tjerë Frenci Rakipi dhe Enes Kristo.

foto7Çmimin ICT Mobiliteti i Vitit u rrëmbye nga Bledar Bregu, të cilin ia dorëzoi Ministrja e Mirëqënies dhe Punëve Sociale Rita Haizeraj. Është themelues i Findit.al një platformë për mbledhjen, organizimin dhe shpërndarjen në formë elektronike të informacionit mbi entitete të të gjitha llojeve (private apo publike) me fokus të veçantë mbi pozicionimin gjeografik. I gjithë informacioni që ofrohet në platformë, nuk është i ofruar nga komuniteti por mblidhet nga operatorët e Find It në terren. Kjo ka bërë të mundur që saktësia e informacionit të jetë shumë e lartë. Të nominuar në këtë kategori ishin edhe Olsi Belishta me projektin nekafe.al dhe Arlind Hajredinaj me aplikacionin Autoshkolla.

foto8Ndërsa drejtorja ekzekutive e Fondacionit “Dritan Hoxha”, Vjollca Dako, fondacioni i cili është një partner strategjik i Albanian ICT Awards për të tretin vit me radhës, na njohu me fituesin e çmimit ICT Diploma e Vitit e cila rezultoi një femër, Mirgita Frashëri. Ajo është nga Tirana, ka studiuar për IT në Universitetin La Sapienza të Romës dhe studimet master i vazhdoi në degën Inxhinieri Informatike pranë Universitetit Politeknik te Tiranës. Tema e diplomës me të cilën merr pjesë në konkurs quhet “Përdorimi i modelit Ising në zgjidhjen e problemeve të tregut financiar”. Motivimi për zhvillimin e kësaj teme diplome është i dyfishtë, thellimi i studimit të simulimeve me karakter financiar dhe njëkohësisht përmirësimi i performancës së simulimeve në mënyrë që t’iu vihet në ndihmë kompanive dhe studiuesve të tregut. Të nominuar në këtë kategori ishin Muhamed Retkoceri me një projekt në fushën e Inteligjencës Artificiale dhe Lavdërim Shala me projektin e quajtur FIEK-SMS.

foto9Gjithashtu ICT Akademiku i vitit do të ishte Edmond Hajrizi, çmim të cilin ia dorëzoi kryetarja e Jurisë, Prof. Dr. Kozeta Sevrani. Ai është themelues, President dhe CEO në Universitetin për Biznes dhe Teknologji; Instituti për Ndërmarrësi, Menaxhment dhe Inxhinieri; Agjencia e Kosovës për Menaxhment; themelues i Librarisë së UBT-së me mbi 200.000 libra – më e madhja në trojet shqiptare. Z. Hajrizi ka një CV të shkëlqyer akademike.

foto10ICT Shërbimi Publik i Vitit në Shqipëri shkoi për Ministrinë e Mirëqënies dhe Rinisë ndërsa për Kosovën shkoi për Administratën Tatimore të Kosovës. Këto çmime u dorëzuan nga Ministrja Milena Harito dhe Rita Haizeraj respektivisht për Shqipërinë dhe Kosovën. Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinise me projektin Ngritja e bazës se të dhënave shtetërore për ndihmën ekonomike është shpallur fitues për çmimin ICT Sherbimi Publik më i mirë i Vitit. Nevoja që çoi në ngritjen e këtij regjstri ishte administrimi jo i mirë i përfitimeve për shkak të mungesës së sistemit të informacionit, mbikëqyrjes dhe kontrolleve.

foto11Administrata Tatimore e Kosovës është fituese me projektin Deklarimi elektronik i tatimeve. Sistemi për Deklarim Elektronik është një aplikacion softuerik. Ky aplikacion mundëson pranimin/dorëzimin e deklaratave dhe pagesave përmes kanaleve elektronike nga tatimpaguesit e regjistruar në sistemin bazë tatimor, duke shfrytëzuar Internetin Publik si medium i komunikimit.

Një ndër risitë e këtij viti ishte edhe mirënjohja për Femrën në sektorin ICT e cila iu akordua Lindita Shomos për angazhimin e saj të vyer në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit dhe e-payment. Znj. Lindita Shomo është themeluese dhe Drejtor Ekzekutiv e kompanisë Easypay Albania. Ajo ka një përvojë prej 20 vitesh në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit,15 vite në sektorin financiar dhe 8 vite në sektorin e administrimit të biznesit.

foto12Ndërsa evenimenti i Natës Gala po afrohej drejt fundit, u shpërndanë edhe disa mirënjohje për disa nga kandidatët e ICT Awards të cilët kanë dhënë kontribute të veçanta për sektorin ICT në Shqipëri. Ludovik Laventure MPAY, Arber Rrapi doktoriim.com, Muhamed Retkoceri për arritjet në NASA Space Apps Challenge me cmimin “People’s Choice Award”, Altin Ukshini – Prishtina HackerSpace, Frenki Ktona dhe Krenare Shala.

foto13Falenderimet e veçanta shkojnë për të gjithë ata që qëndruan përkrah nesh duke filluar me sponsorët: Fondacionin Dritan Hoxha, Raiffeisen Bank, Vala, Albvision, Top Channel, Universitetin e New York-ut, AUK (American Education Kosovo), NextSEO, Albsoft, Instituin Kanadez të Teknologjisë, Abissnet dhe EasyPay. Partner mjaft i rëndësishëm ishte Ministria e Inovacionit dhe Administratës Publike ndërsa përkrahës të këtij evenimenti ishin edhe Agjensia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit në Shqipëri e Kosovë (ICTSMedia PR).