Ka kaluar një muaj që nga starti i konkursit mbarëkombëtar Albanian ICT Awards III dhe tani po shkojmë drejt fazës së dytë të vlerësimeve të projekteve. Siç mund ta dini nga sa kemi njoftuar më parë, Albanian ICT Awards III zyrtarisht ka hapur aplikimet të konkursit katër ditë pas konferencës së hapjes në datë 11 Shkurt në qëndrën Protik ku ishin pjesëmarrës edhe përfaqësues të institucioneve shtetërore si Ministria e Arsimit dhe ajo e Inovacionit. Në qënder të objektivave të ekipit organizator të konkursit ka qenë dhe do të jetë promovimi i vlerave të individëve të shoqërisë së informacionit të moshave të ndryshme që nga adoleshentët, të apasionuarit gjer tek akademikët si dhe ofrimi i mundësive për ta. Në kuadër të këtyre vlerave, Albanian ICT Awards vjen me risi këtë vit duke zgjeruar më tej pjesëmarrjen në këtë konkurs me përfshirjen e dy çmimeve të reja të cilat në të vërtetë janë po aq inovatore.
Krahas pesë kategorive kryesore aplikuar për dy vite me radhë, 2015-ta në Albanian ICT Awards do të përfshijë dy kategori të reja: ICT Shërbimi Publik i Vitit dhe ICT Femra Inovatore e Vitit. Kjo e fundit vjen si rezultat i sugjerimit të vetë kryeministrit gjatë mbrëmjes gala të vitit të shkuar.
Në një takim tjetër të rëndësishëm, Albanian ICT Awards do ta mbajë më 16 Mars 2015 në Prishtinë ku për herë të parë do të mblidhen profesionistët e Shërbimit Publik në sektorin e IT-së. Në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Informacionit (ASHI) dhe ICTSmedia do të kenë sot vëmendjen dhe fokusin me temë “Inovacioni në Administratën Publike”. Në këtë forum të hapur janë të ftuar të gjithë udhëheqësit e IT-së në institucionet publike. Qëllimi i këtij forumi të hapur është informimi i stafit të IT-ve të të gjitha IRK-ve, për mundësit e konkurrimit në “Albanian ICT Awards” si dhe inkurajimi për një punë sa më të mirë në vijim. Axhenda e datës 16 Mars do të startojë në orën 14:00 dhe do të përfundojë në orën 15:50 shoqëruar nga një koktej.
Kalendari i workshopeve të Albanian ICT Awards III nuk do të ndalet këtu. Prezantimet dhe takimet e punës do të vijojnë më 17 Mars në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT, kurse më 19 Mars do të mbahet një takim në Universitetin AAB dhe më 20 Mars në Univesitetin Universum në Prishtinë.
Albanian ICT Awards për të tretin vit radhazi e filloi këtë nismë në partneritet me Fondacionin “Dritan Hoxha”, e mbështetur nga Raifeissen Bank, ALBVISION dhe shumë mbështetës të tjerë të sektorit privat dhe publik.
Pak ditë pas startit të konkursit dhe hapjes së aplikimeve online, ekipi i Albanian ICT Awards filloi të organizonte takimet e para me të interesuar për pjesëmarrje në këtë konkurs. U shfaq një interes i lartë, u realizuan diskutime mjaft dobiprurëse me studentë dhe akademikë, u prezantua një audiencë e gjërë me Albanian ICT Awards dhe ekipi i këtij konkursit vëreu një optimizëm të dukshëm nga studentët për këtë organizim, i pari dhe aktualisht i vetmi për nga karakteri në Shqipëri dhe Kosovë. Startoi në Kosovë, dhe pikërisht kryeqytetin e shtetit me të ri në botë: Prishtina. Me mbështetjen e Kolegjit Riinvest u organizua workshopi i parë me studentët e këtij institucioni arsimor ndërsa një ditë më pas ekipi i vijoi me workshopin e dytë në Univesitetin Shtetëror të Prishtinës. Këtë herë ishin studentët e fakultetit të FIEK (Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike). Më 7 Mars u mbajt workshopi i parë në Tiranë dhe i treti për Albanian ICT Awards me nxënësit e një shkolle të mesme profesionale në Kamëz. Më pas ishte Universiteti Epoka që mirëpriti ekipin e ICT Awards dhe ditën e enjte u zhvilluan workshopet në Institutin Kanadez të Teknologjisë dhe në shkollën teknike elektrike “Gjergj Canco”. (ICTSmedia / PCWorld Albanian)