Ditën e djeshme ICTSmedia në bashkëpunim me Agjensinë e Shoqërisë së Informacion(ASHI) organizoi takimin e radhës në Prishtinë. Pas disa ditësh të ngarkuara me takime në Tiranë, ekipi i Albanian ICT Awards ishte prezent mesditën e datës 16 Mars përsëri në Kosovë. Ky ishte i pari i këtij lloji duke qenë se prezent ishin profesionistë e IT në institucionet shtetërore të Kosovës. Takimi i mbajtur në ambientet e Ministrisë së Administratës Publike dhe pati një pjesëmarrje të konsiderueshme. Qëllimi i këtij forumi të hapur me stafin e IT-ve nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës ishte identifikimi dhe diskutimi publik i ideve dhe projekteve inovative të implementuara deri në fund të vitit 2014 në administratën publike.
Në këtë takim morën pjesë edhe pjesëmarrës nga institucinet shtetëore si Ministritë, Dogana, Policia, Administrata Tatimore, Këshilli Gjygjësore i Kosovës, Prokuroria, Komuna e Kosovës, Universiteti i Prishtines, QKUK, Institutit Shëndetësore të Kosovës, dhe agjensive të ndryshme shtetërore.
Në panelin e diskutimit ishin: z. Kujtim Gashi aktualisht Kryeshef i ASHI-së, Prof.Dr. Blerim Rexha në detyrën e profesorit pranë Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës, Visar Jasiqi në pozitën e drejtorit të kurseve të trajnimit pranë AUK dhe njëkohësisht përfaqësues i Jurisë së Albanian ICT Awards për vitin e tretë me radhë, Kushtrim Shala koordinator i ICTSmedia për Shqipërinë dhe Ardian Alaj si koordinator i Albanian ICT Awards ne Kosovë.
Hapjen e workshopit e bëri koordinatori i Albanian ICT Awards në Kosovë, z. Ardian Alaj që i parapriu edhe fjalës së ekzekutivit të Agjensisë së Shoqërisë së Informacionit. Kujtim Gashi, foli për rëndësinë e projekteve të implementuara në Administratën Publike dhe inkurajoi pjesëmarresit për të aplikuar në këtë Garë. Ai u shpreh me fjalët: “Në kuadër të ndryshimeve të filluara dhe projektit të cilit jemi duke i prirë të gjithë së bashku, në emër të Institucioneve të Republikës së Kosovës, sot këtu para jush shprehi përkrahjen dhe mbështetjen maksimale për Albanian ICT Awards dhe jam i bindur se do të jemi konkurrencë shumë serioze edhe me Tiranën.”
Prof. Blerim Rexha, foli gjithashtu për impaktin e konkursit Albanian ICT Awards dhe potencialin e studentëve për të aplikuar në disa kategori siç janë: ICT Inovacioni i Vitit, ICT Tema e Diplomës e Vitit, ICT Femra Inovatore e Vitit dhe ICT mobiliteti i Vitit. Z. Rexha gjithashtu foli per rëndësinë e teknologjisë në ofrimin e zgjidhjeve dhe shërbimeve në projektet e Administratës Publike. Megjithëse ky takim ishte me IT e institucioneve shtetërore, z. Rexha gjeti momentin që të fliste pak edhe për një garë të nxehtë në kategorinë e “Femrës Inovatore të Vitit”.
Visar Jasiqi, si anëtare i jurise së Albanian ICT Awards për të tretin vit me radhe, foli per mënyrat e vlerësimit të cilat aplikohen nga juria të pavarura nga organizatori i kësaj garë. Kushtrim Shala, përshëndeti të pranishmit me një fjale rasti duke inkurajuar sektorin e Administratës Publike të aplikoj në Albanian ICT Awards.
Ardian Alaj vuri në fokus informimin rreth kategorive të çmimeve të Albanian ICT Awards ku vëmendjen më të madhe e kishte kategoria ICT Shërbimi Publik më i mirë i vitit. Gjithashtu në këtë prezantim janë shtjelluar edhe kriteret e vlerësimit. Gjatë këtij takimi u hap edhe një diskutim me të pranishëm ku është folur mundësia e aplikimit me projekte të realizuara nga Administrata Publike dhe rëndësia e tyre gjatë vitit 2014.
Workshopi startoi në orën 14:00 dhe zgjati afro 2 orë për tu konkluduar me një koktej rasti. Qëllimi i këtij takimi ishte informimi i IT-ve në lidhje me konkursin mbarëkombëtar Albanian ICT Awards dhe rreth mundësive që ofron ky organizim. Natyrisht që synimi parësor është identifikimi dhe promovimi i individëve të shquar, sipërmarrësve të suksesshëm, profesionistëve dhe inovatorëve të fushës së teknologjisë së informacionit.
Ka kaluar një muaj që nga starti i konkursit mbarëkombëtar Albanian ICT Awards III dhe tani po shkojmë drejt fazës së dytë të vlerësimeve të projekteve. Siç mund ta dini nga sa kemi njoftuar më parë, Albanian ICT Awards III zyrtarisht ka hapur aplikimet të konkursit katër ditë pas konferencës së hapjes në datë 11 Shkurt në qëndrën Protik ku ishin pjesëmarrës edhe përfaqësues të institucioneve shtetërore si Ministria e Arsimit dhe ajo e Inovacionit. Në qënder të objektivave të ekipit organizator të konkursit ka qenë dhe do të jetë promovimi i vlerave të individëve të shoqërisë së informacionit të moshave të ndryshme që nga adoleshentët, të apasionuarit gjer tek akademikët si dhe ofrimi i mundësive për ta. Në kuadër të këtyre vlerave, Albanian ICT Awards vjen me risi këtë vit duke zgjeruar më tej pjesëmarrjen në këtë konkurs me përfshirjen e dy çmimeve të reja të cilat në të vërtetë janë po aq inovatore. Ky është workshopi i tetë që mbahet në kuadër të këtij konkursi mbarëkombëtar. (ICTSmedia / PCWorld Albanian)
Fotogalerinë e plotë mund të shikoni duke klikuar KËTU