Mbyllja e aplikimeve më 30 Mars dhe pas një maratone të gjatë takimesh informative në shkolla, universitete, qendra dhe hapësira inovacioni në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Tetovë, Vlorë, Pejë, Prizren, Preshevë, Lezhë, Ferizaj dhe Mitrovicë i hapi rrugë takimit të parë të jurisë në kuadër të edicionit të 7-të të ICT Awards.
Juria e përbërë prej 13 anëtarësh u mblodh ditën e sotme, 31 Mars, në ambientet e laboratorit multifunksional dhe hapësirës së inovacionit ICTSlab. Me anëtarë që vinë nga mbarë trevat shqiptare juria e ICT Awards do të funksionojë e pavarur, e pandikuar dhe në mënyrë strikte, e bazuar në vlerësimet e kritereve të vendosura profesionale.
Prej shtatë vitesh, juria e Albanian ICT Awards ka administruar dhe vlerësuar mbi 1000 projekte dhe aplikime të ndryshme në të gjitha kategoritë, ndërsa mbi 150 projekte të ndryshme, juria e ICT Awards i ka analizuar dhe vlerësuar deri në detajet më të vogla.
Juria e këtij edicioni do të ketë në përbërje emra të vjetër pjesë e kësaj gare në disa edicione por edhe të rinj si: Prof. Asoc. Dr. Alda Kika, Altin Petre, Azir Aliu, Bardha Qirezi, Edison Sinani, Edlira Martiri, Edmond Hajrizi, Erion Serti, Gjergji Guri, Dr. Ilir Çapuni, Linda Shomo, Muhedin Nushi dhe Visar Jasiqi.
Në takimin e tyre të parë juria firmosi Deklaratën e Konfidencialitetit dhe Rregulloren e ICT Awards. Ajo u njoh më nga afër me të gjitha aplikimet dhe kandidatët e mbërritura në ICT Awards.
Gjithashtu me unanimitet të plotë juria përzgjodhi Kryetar Dr. Ilir Çapunin, i cili ka qenë edhe edicionet e kaluara pjesë e saj si zëvendës kryetar dhe anëtarë i jurisë. Ai mban titullin e doktorit të shkencave dhënë nga Universiteti Boston në 2012.
Zëvendës Kryetare u përzgjodh Prof. Asoc. Dr. Alda Kika e cila shërben si pedagoge pranë Departamentit të Informatikës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës prej vitit 2001.
Anëtarët e jurisë janë një trupë plotësisht e pavarur nga organizatorët e kësaj gare dhe e angazhuar vullnetarisht me rregullore strikte. Çdo vit përfaqësohet nga profile të ndryshme të shoqërisë, përfaqësues institucionesh publike, universitete, njerëz të shkencës, biznesit, ekspertë, brenda dhe jashtë kufinjve kombëtarë.
Takimi vijoi me diskutime dhe shqyrtime të kritereve të garës. Gjithashtu u vendos që më 20 Prill juria të udhëtojë drejt Prishtinës ku do të dëgjojë më nga afër listën e ngushtë të kandidatëve që do të ftohen për të prezantua projektet e tyre nga Kosova dhe Maqedonia. Takimi tjetër për kandidatët e listës së ngushtë ardhur nga Shqipëria do të mbahet më 21 Prill në Tiranë.
Edicioni i 7-ës i Albanian ICT Awards u hap zyrtarisht më 6 Shkurt. Prej mëse një muaji u organizuan mëse 25 takime me nxënës, studentë, profesionistë dhe të pasionuar të botës së teknologjisë në mbarë trevat shqipfolëse. Deri në mbyllje të aplikimeve pranë stafit të ICT Awards mbërritën plot 110 aplikime në shtatë kategoritë: ICT Inovacioni i Vitit, ICT Mobiliteti i Vitit, ICT Diploma e Vitit, ICT Ylli në Ngritje, Gruaja në ICT, ICT Shërbimi Publik i Vitit dhe Cyber Security.
Mikëpritja e ngrohtë që shoqëroi stafin e Albanian ICT Awards gjatë këtyre takimeve dhe entuziasmi që nxënësit dhe studentët treguan janë një sinjal i qartë i një tjetër edicioni që për shumë prej tyre do të rezultojë i paharrueshëm.
Gjashtë vite rrugëtim, ICT Awards tashmë është shndërruar një tempull inovacioni ku shqiptarët mblidhen çdo vit për të gjetur kurajon dhe mbështetjen e çmuar e një komuniteti që flet kreativitet dhe produktivitet.
Në edicionin e shtatë, ICT Awards vijon të gëzojë mbështetjen e sponsorëve tradicionalë Fondacioni Dritan Hoxha, Banka Raiffeisen dhe Albvision si dhe një rrjeti të madh partnerësh dhe mbështetësish.
Për më shumë informacione rreth garës, kategorive të vlerësimit dhe zhvillimeve më të fundit ju ftojmë të ndiqni faqen zyrtare www.ictawards.org ose faqen në rrjetin social Facebook
E startuar në 2012-ën kjo garë me shpejtësi rrëmbeu fokusin dhe zemrat e novatorë shqipfolës që jetojnë në Shqipëri, diasporë apo edhe më gjerë. ICT Awards shërbeu për shumë prej tyre si pikënisje e një suksesi tashmë të njohur dhe vlerësuar nga shumë shqiptarë.
Rreth ICT Awards VII
Ky eveniment, unik për nga karakteri dhe dedikimi, ka për synim identifikimin, shpërblimin dhe promovimin e profesionistëve të dalluar , udhëheqësve të suksesshëm të bizneseve, inovatorëve, akademikëve dhe të rinjve entuziast në fushën e ICT-së, puna e së cilëve përgjatë 2018-tës ka përmirësuar apo ndihmuar pozicionin e TIK-ut Shqiptar në rajon ose botë, si dhe ka kontribuar drejt zgjerimit të sektorit biznesor të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.
Rreth ICTSmedia
ICTSmedia si një shtëpi botuese dhe lider në median e ndërlidhur me Teknologjinë e Informacionit, Komunikimit dhe Sigurisë (ICTS), kësaj radhe prezanton edicionin e 6-të vjetor kombëtar të evenimentit shpërblyes “Albanian ICT Awards VII” (ose “TIK Shpërblimet Shqiptare 7”).