Në edicionin e 7-të të Albanian ICT Awards një vajzë 13 vjeçare nga Gjakova, Fiona Meqa, triumfoi në kategorinë Ylli në Ngritje.
Fiona është 13 vjeç, nxënëse në klasën e 7-të të shkollën Fehmi Agani në Gjakovë me njohuri të shkëlqyera në teknologji, IoT, Arduino, Tinkercad, Ultimaker Cura e shumë të tjera.
Ajo është gjithmonë në kërkim të sfidave kreative të të nxënit, zhvillim të ideve inovative dhe aplikimin e tyre në projekte praktike, duke u bërë një fëmijë model për gjeneratën e saj.
“Shtëpia e zgjuar”, është një nga realizimet e Fionës që synon të lehtësojë jetesën e çdokujt prej nesh duke mundësuar realizimin automatik të shumë funksioneve të një shtëpie.
PCWA: Fiona, a mund të na flisni pak për shkollimin, orientimin dhe planet për të ardhmen?
Së pari dëshiroj të ju falënderoj për intervistën me mua.
Unë jam Fiona, nxënëse në klasën e VII të SHFMU “Fehmi Agani” në Gjakovë. Jam jashtëzakonisht punëtore, kureshtare dhe kam shumë ambicie. Jam një vajze që e adhuron librin, sportin, muzikën, por më së shumti pëlqej që kohën e lirë ta kaloj duke hulumtuar rreth risive nga ICT.
Si e vogël gjithmonë kam qenë kureshtare në fushën e elektronikes dhe programimit, kisha dëshirë të ndjekja kurset që janë të fokusuara në fushën e teknologjisë. Kam të kryer një trajnim në fushën e kodimit bazik të WEB Faqes dhe dy kurse të elektronikës. Ndërsa tani jam duke e ndjekur kursin e programimit me Ruby dhe shfrytëzoj rastin të falënderoj “IPKO Foundation” për ofrimin e këtyre kurseve në hapësirën krijuese Bonevet.
Planet e mia për të ardhmen janë që të dal me rezultate të mira në shkollë. Pa dyshim që me mbështetjen e prindërve dhe me mundësitë që mund të më ofrohen nga ndonjë organizatë, unë do të ndjek kurse të cilat do i zhvillojnë aftësitë e mia në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, si dhe do më ofrojnë mundësi të shpalos talentin dhe idetë e mia kreative në punë dhe objektiva tjera në të ardhmen.
PCWA: Cila ka qenë arsyeja që vendose të bëhesh pjesë e ICT Awards 7?
Vetëbesimi në projektin tim dhe mundësia që të prezantoj atë në fushën teknologjisë dhe inovacionit, ka qenë një shans i mirë që, mundi dhe puna ime të vlerësohet dhe të shpërblehet.
Unë kam lexuar dhe i kam ndjekur rregullisht evenimentet e Albania ICT Awards, ku të rinjtë shfaqeshin talentin dhe shkathtësitë e tyre në fushën e ICT-së. Promovimi im nëpërmjet Albanian ICT Award do ishte motiv shtesë që të më rritë pasionin tim për këtë fushë. Për këtë arsye unë me përkrahjen e prindërve, vendosa të aplikoj me projektin e Shtëpisë së zgjuar.
PCWA: Le të flasim për projektin. Çfarë qëllimi keni pasur me zhvillimin e Shtëpisë së Zgjuar?
Është bërë më shumë se 1 vit ngase kam filluar me këtë projekt. Fillimisht ideja e projektit ka qenë shumë e thjeshtë “Shtëpia e zgjuar të jetë në gjendje të ndezë dhe të fik dritat, varësisht a është ditë apo natë”.
Me kalimin e kohës më është rritur dëshira që të krijoj diçka më gjithëpërfshirëse dhe të mos limitohem vetëm në një dritë. Tani, në Shtëpinë e zgjuar mund kyçen disa pajisje apo drita dhe të komandohen në mënyrë automatike apo nga distanca.
Një ndihmesë e madhe për mua ka qenë njohja e gjuhës angleze për arsye se të gjithë udhëzuesit për krijimin e aplikacioneve për celular dhe specifikat e moduleve të përdorura tek shtëpia e zgjuar kanë qenë në gjuhën angleze.
Shtëpitë e zgjuara e bëjnë jetën tuaj më të rehatshme, ju nuk keni nevojë të lëvizni në të gjithë shtëpinë tuaj për të kryer funksione të ndryshme. Me pajisjen e zgjuar, ju mund të kryeni të gjitha operacionet shtëpiake përmes aplikacionit, gjersa jeni të ulur të qetë në divan ose nga çdo cep i shtëpisë suaj.
Shtëpitë e zgjuara ju mundësojnë që ju të kurseni energji elektrike. Shpesh vërehet se dritat mbeten ndezur për shkak të përtacisë së ngritjes dhe fikjes së të tyre. Një shtëpi e zgjuar do t’ju lejojë të fikni dritat dhe gjërat tjera elektronike në mënyrë të automatizuar.
PCWA: A mund të na shpjegosh si funksionon Shtëpia e Zgjuar? Si është ndërtuar?
Me pak fjalë, “Shtëpi e zgjuar” do ti automatizoj punët që zakonisht kryhen nga njerëzit dhe në të njëjtën kohë të ofroj siguri për familjen tuaj.
Shtëpia e zgjuar funksionon duke shfrytëzuar rrjetin pa tela Wi-Fi për ta kontrolluar atë përmes një aplikacionit të instaluar në telefonin celular. Nga ky aplikacion, mund të bëhet aktivizimi i sistemit të ngrohjes, ndezja dhe fikja e dritave nga distanca përmes klikimit apo komandave me zë. Por, edhe në mënyrë të automatizuar, të ndizen dritat në mbrëmje kur drita natyrore zvogëlohet ose ka lëvizje dhe të ndalen ato nëse harrojmë ti fikim në mëngjes, kur drita natyrore rritet.
Shtëpisë së zgjuar lehtësisht mund ti ndryshohen dhe ti adaptohen funksionet që i ka, të cilat nuk mund të gjenden diku tjetër të përfshira në një pajisje.
PCWA: Çfarë të shtyu të angazhoheshe një një projekt të tillë?
Ideja fillestare e projektit “Shtëpia e zgjuar” ka ardhur duke i parë shqetësimet e prindërve kur ndodheshim jashtë shtëpisë dhe binte nata. Ata gjithnjë u merakoseshin për sigurinë e shtëpisë e cila ishte në errësirë. Atëherë mendova të angazhohesha dhe të bëj një zgjidhje për këtë problem, jo vetëm për familjen time por edhe për komunitetin.
PCWA: Çfarë mendon të bësh me Shtëpinë e Zgjuar në të ardhmen?
Shtëpia e zgjuar do të zhvillohet edhe me tutje, duke i integruar edhe disa funksioneve tjera në të. Pas kësaj, unë me ndihmën e prindërve do ta instaloj në shtëpi, ashtu që të mos shqetësohemi më për sigurinë e saj . Gjithashtu kam filluar ta adaptoj këtë projekt në një të ri për shkollën time, ashtu që të lehtësohet puna e punëtorëve të saj teknik.
PCWA: Cili do të jetë aplikacioni dhe projekti i radhës?
Po ta them tani do e humb surprizën, prandaj ju them vetëm se nuk do ndalem me kaq.
PCWA: Përtej aplikacioneve dhe projekteve, cilat janë ëndrrat që mban në sirtar Fiona?
Të fitoj bursë studimore dhe të studioj në shkollat prestigjioze në SHBA ose Evrope. Një ëndërr tjetër kam të vizitoj ndonjërën nga kompanitë e njohura si: Google, Amazon, Microsoft, Gjirafa, që gjithmonë edhe i përcjelli.
PCWA: Cilat janë pikat e forta të Fionës?
Vetëbesimi, këmbëngulësia dhe dëshira për të studiuar, janë pikat e forta të mia të cilat më dërgojnë në realizimin e ëndrrave, si kjo e fundit në Albanian ICT Awards.
PCWA: Çfarë do të thotë për Fionën fitimi i çmimit ICT Ylli në Ngritje?
Pjesëmarrja në Albanian ICT Awards ishte një eksperiencë e re dhe shumë e rëndësishme për mua. E konsideroj veten me fat që isha në mesin e finalistëve dhe fituese e çmimit ICT Ylli në ngritje në mbrëmjen Gala të organizuar nga Albanian ICT Awards.
Kjo eksperiencë më ofroj gëzim, vetëbesim dhe motivim, që edhe pse jam 12 vjeç ia kam arritur të marr këtë çmim duke e përjetuar një ëndërr. Falë përkrahjes së prindërve të mi, unë sot e mbaj me vete Yllin që ndriçoj jetën time.