Juria e Albanian ICT Awards është një trupë ekspertësh dhe profesionistësh nga institucione publike dhe private, institucione akademike, biznese dhe sipërmarrje të suksesshme në fushën e teknologjisë, inovacionit dhe sipërmarrjes nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe hapësira mbarë shqiptare.
Plotësisht e pavarur nga organizatorët e Albanian ICT Awards, juria mblidhet çdo edicion pas përmbylljes së fazës së aplikimeve për të vlerësuar projektet e mbërritura dhe për të përpiluar listën e ngushtë të kandidatëve.
Çdo edicion, në mbledhjen e saj të parë më 5 Prill juria e Albanian ICT Awards e përbërë nga të paktën 10 anëtarë nënshkruan Deklaratën e Konfidencialitetit, përcakton drejtuesit e saj përmes një votimi unanim dhe merr në dorëzim aplikimet e mbërritura nga garuesit duke afirmuar standardet e vlerësimit vendosur ndër vite.
Në dy data të mëvonshme, më 26-27 Prill , juria e Albanian ICT Awards mban dy takime, në Tiranë dhe Prishtinë me kandidatët e listës së ngushtë për aplikimet e marra nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe mbarë hapësira shqipfolëse. Kandidatët prezantojnë ballë për ballë me jurinë projektet e tyre përpara se juria të vendosë ose jo nominimin e tyre për finalen e madhe të Mbrëmjes Gala.
Qasja rigoroze dhe strikte e anëtarëve të jurisë së ICT Awards, një qasje me integritet të lartë profesional dhe pavarësi absolute vendimmarrjeje nga organizatorët e garës, është një cilësi e dëshmuar dhe e trashëguar ndër vite nga kjo garë mbarë kombëtare.
Anëtarët e jurisë prezantohen zyrtarisht në mbledhjen e parë të saj e cila organizohet menjëherë pas mbylljes së fazës së aplikimeve.
Origjinaliteti dhe vërtetësia janë disa prej aspekteve më të rëndësishme që marrin vëmendje të veçantë nga juria e Albanian ICT Awards dhe përbëjnë kriteret më të rëndësishme për një aplikim të suksesshëm. Pasaktësitë dhe mungesa e vërtetësisë së informacionit të paraqitura përmes aplikimit do të rezultojnë në përjashtim të menjëhershëm dhe të pakthyeshëm nga proceset e ardhshme vlerësuese të garës.
Albanian ICT Awards ruan të drejtën e verifikimit të aplikacioneve dhe materialeve të dorëzuara bashkë me aplikimet. Vlerësimi maksimal që mund të marrë një aplikim nga kjo garë është totali prej 100 pikësh.
Kriteret e vlerësimit dhe formula e mbledhjes së pikëve janë publike në cdo formular aplikimi të kategorive përkatëse që nga momenti i hapjes së aplikimeve zyrtare.