Ditën e sotme, përfaqësues të Albanian ICT Awards shoqëruar nga anëtarët e jurisë Prof. Dr. Edmond Hajrizi dhe Visar Jasiqi u pritën në një takim nga Ministri i punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës z. Bejtush Gashi dhe drejtori i Agjencisë së Regjistrimit Civil z. Bekim Hoxha.
Gjatë takimit informativ, ministri informoi përfaqësuesit e garës mbarë kombëtare në fushën e teknologjisë për punën e institucionit që drejton dhe në veçanti aspektin e sigurisë.
Gjithashtu z. Hoxha foli për vizionin dhe projektet që do të implementohen në vazhdimësinë e projektit RKSMobileID.
Përfaqësuesit e ICT Awards shprehen gatishmërinë për të mbështetur projekte të ngjashme.
Ministri Gashi bëri të ditur se së shpejti do të finalizohet strategjia kombëtare për sigurinë kibernetike duke ftuar ICT Awards të japë kontributin e saj në këtë projekt madhor.
Më 27 Prill, Albanian ICT Awards finalizoi edicionin e gjashtë të garës mbarë kombëtare pas një maratone disa mujore aktivitetesh.
U shpallën fituesit në shtatë kategori dhe u shpërndanë mirënjohje për ata që kanë dhënë kontribut të vyer në fushën e teknologjisë së informacionit.
Në Mbrëmjen Gala nderuan me pjesëmarrjen e tyre Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë së Kosovës, z. Besim Beqaj dhe Kryetari i Prishtinës z. Shpend Ahmeti, pjesëmarrës dhe të ftuar special nga bota e TIK-ut, biznesit, akademisë, administratës publike, shoqërisë civile dhe medias.
Ata shprehën mbështetjen e pakushtëzuar ndaj kësaj gare unike në Shqipëri, Kosovë dhe më gjerë si dhe ftuan përfaqësuesit e garës që vitin e ardhshëm nata e kurorëzimit të fituesve të mbahej në Prishtinë.
24 finalistë nga 100 aplikime të mbërritura përmes www.ictawards.org këtë vit pritën verdiktin e jurisë së Albanian ICT Awards.
Gjatë edicionit të gjashtë ICT Awards vizitoi qytetet e Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Durrësit, Shkodrës, Pejës, Gjakovës, Korçës, Tetovës dhe Ulqinit.
Albanian ICT Awards është vlerësuar edhe nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me çmimin Bleta e Artë për kontributin e dhënë në fushën e teknologjisë dhe sipërmarrjes.