Është një student i dalluar për mesataren me të lartë të vitit 2017 në Universitetin UBT.
Me zhvillimin e inteligjencës artificiale, kompjuterët janë duke u përditësuar çdo ditë për të qenë në gjendje të “mendojnë si njerëzit”.
Sot jetojmë në epokën e BIG Data, ku çdo sekondë prodhohet informacion i ri, që kërkon algoritme të veçanta për ti strukturuar, përpunuar dhe analizuar ato. Qëllimi i projektit ishte qe një algoritëm ta bëj këtë pune në mënyre automatike. I bazuar në Open Source the teknika te Inteligjencës artificiale.
Nga ky Knowledge Graph i gjuhës Shqipe ka vend për përmirësim shumë më të madh, por Hakani mendon se ky është hapi i parë dhe i rëndësishëm drejt ndërtimit të një rrjeti semantik digjital të gjithçkaje për të cilën njohim, në gjuhën tonë të bukur shqipe.
PCW: Hakan a mund të na flasësh rreth fushës tënde të studimeve, fillesat dhe shtysa për të ndjekur këtë drejtim?
Hakan Shehu: Përshëndetje ICT Awards së pari desha të ju falenderoj për këtë intervistë. Unë kam mbaruar studimet të nivelit bachelor në drejtimin Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri në UBT në Prishtinë.
Që nga fëmijëria kam pasur një pasion të theksuar në teknologji, e veqanërisht në përdorimin e kompjuterëve. Vazhdimisht kam qenë kurioz të provoj gjëra të ndryshme, që nga krijimi i faqeve të ndryshme, dizajneve grafike, videove apo edhe thjesht luajtjen e lojërave të ndryshme.
Duke filluar nga kjo përvoje dhe duke e parë që në vitet e fundit janë bërë zhvillime të mëdha ne fushën e teknologjisë, atëherë vendosa se ky drejtim është ajo çka duhet të fokusohem në karrierë dhe për mua ishte një mundësi e cila nuk duhet humbur.
PCW: Pse keni zgjedhur të bëheni pjesë e edicionit të pestë të Albanian ICT Awards
H.SH: Për garën ICT Awards kam dëgjuar nga disa studentë të gjeneratave më të vjetra të cilët kanë qenë në finale dhe kanë fituar çmime të ndryshme.
Që nga momenti kur kam dëgjuar për cmimin Diploma e Vitit kam pasur një deshire që të aplikoj edhe unë, si dhe mund te them se ka qenë një motivim shtesë që në punimin e diplomës të provojë dicka më sfiduese.
PCW: A mund të na përshkruani më në detaje projektin e diplomës, si filloi, puna e bërë dhe rezultatet?
H.SH: Ideja për krijimin e një Knowledge Graph në gjuhën shqipe më ka ardhur përderisa isha duke lexuar një libër për mënyrat e ndryshme te reprezentimit të të dhënave në menyrë digjitale.
Më pas kam hulumtuar dhe kam parë se ekzistojne disa Knowledge Graphs te ndryshëm, por jo diçka për gjuhën shqipe.
Hapat e para ishin gjetja e të dhënave të nevojshme për krijimin e relacioneve, gjë e cila ka zgjatur afër 2 javë. Pjesa më e vështire ishte zhvillimi i një algoritmi i cili në mënyrë automatike krijon relacione në mes entiteteve të ndryshme ne mënyrë automatike.
Gjate një periudhe prej 2 muajve të punëve intensive, së bashku me mentorët kemi provuar rreth 15 algoritme te ndryshme te ekstraktimit, derisa erdhëm në algoritmin i cili na ka sjellur rezultatet më të sakta. Në fund kemi arritur të krijojmë një graf të fakteve i cili përmban diku rreth 120 mijë entitete dhe 250 mijë lidhje në mes tyre.
PCW: Çfarë algoritmesh janë përdorur në Knowledge Graph dhe çfarë kompleksi i karakterizon?
H.SH: Ndër algoritmet kryesore që janë përdorur në zhvillimin e punimit janë Part of Speech Tagging i cili bën detektimin kryesore gramatikore brenda një fjalie, Sentence Detection i cili bën ndarjen e një teksti të gjate në fjali, Term Frequency – Inverse Document Frequency i cili bën gjetjen e fjalëve më të rëndesishme të një teksti brenda një bashkësie të teksteve të ndryshme si dhe Stemming i cili bën gjetjen e rrënjes së fjalës.
Pse “Open Source” dhe si është implementuar inteligjenca artificiale në Knowledge Graph?
H.SH: Arsyeja pse kam përdorur algoritmet Open Source është për t’i lejuar te tjerët që të mund të krijojnë të njëjtin rezultat falas, pa pasur nevojë të paguajnë për ndonjë softuer apo shërbim përkatës.
Pjesa kryesore e inteligjencës artificale e implementuar në punimin tim është pjesa e natural language processing, apo algoritmet kryesore për përpunimin e teksteve shqip.
PCW: Si mund tu shërbejë ky Knowledge Graph atyre që e përdorin?
H.SH: Përdorimi i këtij Knowledge Graph do t’i mundësonte të gjithëve që të gjejnë shumë më shpejt përgjigje rreth pyetjeve të tyre të ndryshme apo edhe gjetjen e fakteve të reja të cilat nuk jane të shkruara, por mund të nxirren nga faktet e përbashkëta.
PCW: Si e shikoni nevojën për një teknologji të tillë dhe kush janë ata që përfitojnë?
H.SH: Duke marrë parasysh zhvillimin e web-it ne kohët e fundit, mendoj se krijimi i një knowledge graph shqip është një nevojë që nuk duhet të shmanget asesi dhe ka nevojë për më shumë fokus nga institucionet apo kompanitë teknologjike.
Përfitues të kësaj teknologjie do të jenë të gjithë, që nga përduruesit e thjeshtë të internetit e gjer tek kompanitë komerciale.
PCW: Çfarë planesh për të ardhmen ka Hakani?
H.SH: Në të ardhmen planet e mia janë implementimi i plotë i knowledge graph që të mund të përdoret nga të gjithë. Në planet afatgjate jam i interesuar që të përfundojë studimet master në drejtimin e Machine Learning.
PCW: Çfarë do të thotë për Albanën të jesh Diploma e Vitit në ICT Awards VI?
H.SH: Fitimi i çmimit Diploma e Vitit ka qenë një motivim shtesë për vazhdimin e punës në këtë drejtim më qëllim të krijimit të një shërbimi online i cili mund të përdoret nga të gjithë. /PCWorld Albanian