Shoqata mbarëkombëtare e Teknologjisë ALBICT, prezanton edicionin e 11-të mbarëkombëtar të garës më të madhe të teknologjisë në hapësirën Shqipfolëse “Albanian ICT Awards”.

Themeluar në 2012, Albanian ICT Awards është bërë nismëtare e një misioni duke bërë bashkë dy breza mendje të ndritura dhe heronj të kohës moderne si yje në ngritje, sipërmarrës, themelues, udhëheqës, profesionistë dhe entuziastë të teknologjisë. Një ngjarje e cila qysh në themelimin e saj mëse një dekadë më parë erdhi me një mision fisnik, objektivi më arrirë i Albanian ICT Awards ndër vite mbetet identifikimi, promovimi dhe shpërblimi i shqiptarëve pionierë në teknologji, inovacion dhe sipërmarrje, individëve më të dalluar dhe udhëheqësve të bizneseve më të suksesshme të ekosistemit.

Gjatë 10 edicioneve juria e Albanian ICT Awards ka realizuar mbi 10 mijë orë pune, kjo ngjarje ka mirëpritur mbi 2500 garues, mbrëmja gala kanë emocionuar mbi 200 finalistë, ekosistemi ka pritur mbi 300 evente, njohur mbi 70 themelues të suksesshëm startupesh, dhe përmes 13 kategorive të ndryshme ka shpërblyer mendjet më të ndritura dedikimi dhe arritjet e së cilëve kanë luajtur një rol të rëndësishëm në përparimin inovacionit, sipërmarrjes dhe teknologjisë, nga organizata në institucione, agjenci ose sipërmarrje individuale, të sektorit privat apo publik.

Një skenë e madhe arritjesh e yjeve Shqiptare në teknologjisë, inovacion e sipërmarrje, Albanian ICT Awards është shndërruar jo vetëm një ngjarje unike, por edhe në një katalizator jetik për ekosistemin duke promovuar, nxitur e inspiruar ide formësuese dhe transformuese për mbarë shqiptarët kudo ku jetojnë.

Edicioni i 11-të i Albanian ICT Awards vihet në kërkim të atyre që besojnë se teknologjia është bërë një fenomen i pandashëm për jetët tona, një forcë përcaktuese e një rendi të ri shoqëror në të cilin inovacioni nuk është më një opsion, por një domosdoshmëri e imponuar në të gjithë veprimtarinë njerëzore. Të rinj entuziastë, ekspertë, novatorë, sipërmarrës, akademikë, yje në ngritje, studentë, profesionistë të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e inovacionit, sipërmarrjes dhe teknologjisë në hapësirën mbarë shqiptare gjatë vitit që lamë pas do të gjejnë një strehë të re, një moment feste, në shërbim shoqërisë dhe progresit përmes teknologjisë.

Vit pas viti fituesit e këtij evenimenti janë vlerësuar nga një juri me integritet të lartë profesional dhe u janë nënshtruar kritereve të veçanta etike dhe profesionale të vlerësimit të cilat sot shërbejnë si standard për individë dhe entitetet më të spikatura të fushës së teknologjisë, inovacionit dhe sipërmarrjes në Shqipëri.

Juria e Albanian ICT Awards funksionon në mënyrë të pavarur, plotësisht e pandikuar dhe thellësisht strikte në respektim të kritereve të vendosura profesionale e vetëdijshme për përgjegjësitë dhe rëndësinë e rolit që mban.

Aplikimet dhe nominimet në edicionin e 11-të të Albanian ICT Awards kryhen vetëm në formën elektronike duke vizituar faqen zyrtare www.ictawards.org. Afati i fundit i pranimit të aplikimeve do të jetë data 30 Prill 2023, ora 23:59.

Rreth Albanian ICT Awards

Albanian ICT Awards mbledh pjesëmarrës nga fusha të ndryshme të teknologjisë, inovacionit dhe sipërmarrjes brenda dhe jashtë vendit, përfaqësues të institucioneve publike, drejtues ekzekutiv të bizneseve të ndryshme, përfaqësues financiarë, tregtues, specialistë të fushës, akademikë, doktorantë, si dhe përfaqësues të tjerë të bizneseve dhe agjencive të ndërlidhura me teknologjinë, inovacionin dhe sipërmarrjen.

Rrugëtimi i Albanian ICT Awards

  • Hapja e Aplikimeve

Si një institucion që përgjegjësinë e suksesit ia lë pasqyrimit real zhvillimor, emancipimit të shoqërisë, nivelit të vetëdijesimit të institucioneve, organizatave dhe kompanive serioze në hapësirat mbarë shqiptare dhe më gjerë, Albanian ICT Awards shpall hapjen e aplikimeve përmes një evenimenti në Tiranë të cilit nuk i kanë munguar asnjëherë surprizat.

  • Takime Informuese

Me hapjen e aplikimeve, Albanian ICT Awards nis traditën e saj të zhvillimit të sesioneve informues rreth aplikimeve, kritereve të garës dhe mundësive që ajo ofron duke organizuar mbi 15 të tilla çdo vit. Nisur nga formati mbi të cilin është ngritur kjo ngjarje unike, Albanian ICT Awards ka organizuar me qindra takime ndër vite nëpër shkolla, universitete, qendra kreative, inkubatorë, laboratorë inovacioni, hapësirë punuese në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Tetovë, Preshevë, Durrës, Korçë, Shkodër, Prizren, Gjakovë, Elbasan, Vlorë, Ulqin dhe shumë qytete të tjera të hapësirës mbarë shqiptare.

  • Tryeza të Rrumbullakëta

Çdo edicion, Albanian ICT Awards bashkon ekspertë nga sektorët e teknologjisë, informacionit dhe sipërmarrjes në diskutime dhe shkëmbime eksperiencash të cilat zhvillohen në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni.

  • Mbrëmja Gala Albanian ICT Awards XI

Mbrëmja Gala është momenti i kurorëzimit të rrugëtimit 3-mujor të çdo edicioni të Albanian ICT Awards dhe që kulmon me shpalljen e fituesve në kategoritë e përcaktuara gjatë fazës së aplikimeve. Është një ngjarje e cila grumbullon përfaqësues të institucioneve më të larta shtetërore në Shqipëri, Kosovë dhe më gjerë, ekspertë, profesionistë, entuziastë, udhëheqës e yje në ngritje, kompani, biznese, sipërmarrës dhe novatorë të komunitetit të teknologjisë dhe informacionit.

Organizuar në Tiranë, Mbrëmja Gala përfaqëson edhe verdiktin final të jurisë së Albanian ICT Awards i cili bëhet publik përballë një audience të gjerë me të ftuar nga mbarë hapësira shqipfolëse. Që prej 10 vitesh Mbrëmja Gala është shndërruar në një ikonë e qytetit të Tiranës, një finale e cila kurorëzon jo vetëm rrugëtimin disa mujor të një gjenerate të rinjsh të cilët i kanë besuar Albanian ICT Awards vizionin e tyre për të ardhmen, por edhe një moment historik i një përkushtimi disa vjeçar.

Fituesit shpërblehen me çmimet në kategoritë respektive, dhe falë partneritetit të gjerë dhe mbështetjes që gëzon kjo ngjarje  nuk mungojnë asnjë vit surprizat bursa, trajnime, rrjetëzim, promovim unik dhe internshipe.

Për informacione më të detajuara ju ftojmë të na shkruani në:

E-mail: info@ictawards.org
Web: https://www.ictawards.org
Tel Shqipëri: +355 (0)69 900 9000
Tel Kosovë: +383 (0)44 22 10 22

Data e Mbrëmjes Gala: 26 Maj 2023
Vendi i Mbrëmjes Gala: Tiranë