Në panairin e përvitshëm të robotikës të Institutit Harry Fultz e nisi javën e dytë të takimeve informuese gara mbarëkombëtare e teknologjisë, inovacionit dhe sipërmarrjes Albanian ICT Awards.
Më 23 Mars në rastin e 100 vjetorit të Institutit Harry Fultz, u mbajt dita e Hapjes së Panairit të Robotikës ku Oficina mirëpriti grupe studentësh nga departamenti i Elektronikës.
Robotë interaktivë të krijuar nga nxënësit, secili grup punoi me muaj të tërë për të bërë projektin e tij robotik. Bashkëthemeluesi i ICT Awards z. Kushtrimi Shala në këtë panair tha se ishte krenar me studentët e Harry Fultz, pedagogët dhe Oficina Hub për krijimin e një mini-ekosistemi që gëlon në kreativitet.
Më 1 Prill ICT Awards udhëtoi drejt Luginës së Preshevës. Është viti i pestë që ICT Awards viziton Gjimnazin “Skënderbegu” në Preshevë dhe nxënësit e kësaj shkolle që kanë garuar në mesin e më të mirëve në edicionet e kaluara të kësaj gare.
Një takim disi ndryshe nga edicionet e kaluara, kësaj here ICT Awards u mirëprit nga ish nxënësi i saj i Samir Maliqi që 5 vite më parë u shpërblye me mirënjohje nga juria e ICT Awards. Atëherë vetëm 16 vjeç, meritat e tij në fushën e teknologjisë u njohën nga kjo garë ndërsa sot ai shërben si inxhinier softueri në Bankën Raiffeisen në Kosovë.
Destinacioni i radhës së ICT Awards ishte qyteti i Fierit me takime në shkollën profesionale “Petro Sota” dhe qendrën rinore “Epoka e Re.”
Edicioni i 10-të i ICT Awards hapi aplikimet më 16 Shkurt dhe do të vijojnë të qëndrojnë të hapura vetëm në formatin online deri më 17 Prill në kategoritë: ICT Inovacioni i Vitit, ICT Startupi i Vitit, Çmimi i Sipërmarrjes Inovative në Blockchain, ICT Diploma e Vitit, ICT Ylli në Ngritje, Gruaja në ICT, Siguri Kibernetike dhe Formulari i Nominimit në ICT Awards.
Prej 10 vitesh kjo garë ka gëzuar mbështetjen e sponsorëve tradicional që në vitet e para si Fondacioni Dritan Hoxha, Banka Raiffeisen dhe Albvision. Vodafone Albania, Dev.al, Albsoft, Radix, Baboon, Ibas, Facilization, Soft&Solution, AUK, SEEU TechPark, Top Channel, Telegrafi, PCWorld, CIO janë sponsorë, partnerë dhe mbështetës mediatikë të tjerë të kësaj gare