Edona Bilali

Znj. Edona Bilali është Ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, znj. Bilali është zgjedhur Deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në Qarkun e Shkodrës.

Para emërimit në detyrë si Ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, znj. Bilali ka qënë konsulente për sipërmarrjet dhe prej njëmbëdhjetë vitesh ajo është e aktivizuar si pedagoge e ftuar në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës.

Znj. Bilali ndjek studimet doktorale në fushën e Marrëdhënieve Ekonomike Ndërkombëtare dhe Menaxhimit në Austri. Ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera master profesional në Marketing dhe ka ndjekur studimet universitare në degën e Administrim Biznesit nga i cili mban titullin ‘menaxhere’. Gjithashtu, ka përfunduar programin një vjeçar si Audituese e Brendshme në Sektorin Publik. Ajo ka përfunduar kursin e Mikroekonomive Konkuruese, një program i Harvard Business School. Znj. Bilali ka një sërë kualifikimesh të tjera në fushat e sipërmarrjes, konkurueshmërisë, SME-ve dhe Startupeve. Ajo është e çertifikuar ndërkombëtarisht si trajnere dhe mentore biznesi.

Kontributi i znj. Bilali në fushën e sipërmarrjes është vlerësuar në mënyrë të vazhdueshme nga partnerët ndërkombëtarë, ajo ka qënë e përfshirë në disa programe për mbështetjen e ndërmarrjeve të financuara nga donatorë të huaj. Në vitin 2018 ajo është vlerësuar me titullin ‘Mentorja e vitit’. Për dy vite akademike ajo ka shërbyer si Mentore nga Biznesi në programin ‘Junior Achievement’. Ajo ka mundësuar disbursimin e fondeve për qindra sipërmarrje vendase nga qeveria shqiptare por kryesisht nga donatorë ndërkombëtarë. Ajo është Auditore e parë në fushën e menaxhimit të cilësisë sipas standardit ndëkombëtar ISO 9001:2015. Znj. Bilali ka një eksperiencë të gjerë që nis nga administrata publike, korporata, sektori jo fitimprurës, ai privat dhe akademia.

Në vitet 2010-2011, znj. Bilali ka punuar në Ministrinë e Financave, për të kaluar më vonë në pozicionin e menaxheres së blerjes për tregjet ndërkombëtare në një nga kompanitë më të mëdha të vendit. Në vijim dhe deri në mars 2021 ka drejtuar një studio konsulence në shërbim të sipërmarrjeve dhe zhvillimit të bizneseve të reja dhe ekzistuese. Ndër vite ajo ka qënë eksperte e kontraktuar në programe të BERZH, GIZ dhe një sërë ambasadash të huaja në vend. Së fundi asaj i është besuar drejtimi politik i qarkut Shkodër. Mjedisi është një fushë ku znj. Bilali ka dhënë në vazhdimësi kontributin e saj duke qenë e pranishme përmes projekteve dhe nismave komunitare.