Muhedin Nushi

Aktualisht është Drejtor i Drejtorisë së Administratës në Komunën e Prishtinës. Ky institucion tërësisht ka reformuar shërbimet ndaj qytetarëve në Komunën e Prishtinës, duke implementuar teknologji dhe procese inovative dhe të avancuara.
Studimet universitare i ka përfunduar në Fakultetin Ekonomik pranë Universitetit të Prishtinës. Është njohës i mirë i proceseve, procedurave dhe operacioneve të industrisë bankare, i teknologjisë informative, analizës së biznesit, përpunimeve statistikore, menaxhimit të të dhënave dhe proceseve si dhe të udhëheqjes së projekteve që nga ideja projektuese, zhvillimi, implementimi, e deri te monitorimi dhe vlerësimi.
Z. Nushi fillimisht ka punuar në Institutin për Hulumtime Shkencore dhe Zhvillim (INKOS) në Obiliq, ka udhëhequr Departamentin e Teknologjisë Informative pranë Bankës Ekonomike në dy periudha të ndryshme, përkatësisht 1992 – 2000 dhe 2006 – 2013.
Ka qenë pjesë e shumë projekteve ndërkombëtare, duke përfshire ato të Bankës Botërore (World Bank), FAO (Food and Agriculture Organizations of United Nations), projekte të BE-së pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe Entit të Statistikave të Kosovës si dhe në disa projekte pranë UNDP, HELVETAS, USAID etj.
Ai ka dhënë një kontribut të vyer në implementimin dhe zhvillimin e E-Kioskut. Në edicionin e katërt të Albanian ICT Awards z.Nushi ka fituar çmimin e Shërbimit Publik më të mirë të Vitit.
Gjithashtu ka dhënë kontributin e tij në zhvillimin e disa sistemeve inovative me impakt të lartë që kanë arritur të fitojnë çmime brenda dhe jashtë Kosovës.