Projekti  “51 shërbimet e ZRPP ne portalin e-Albania” është kurorëzimi i procesit të gjatë të digjitalizimit për Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Procesi i digjitalizimit në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka kaluar në disa faza: digjitalizimi i plotë i informacionit të pasurive të paluajtshme dhe procedurave të ndjekura nga ZRPP-të për procedimin e kërkesave; identifikimi në mënyrë unike të pronarëve nëpërmjet popullimit me NID/NIPT; integrimi i shërbimeve në portalin unik qeveritar e-Albania si dhe implementimi i vulës digjitale nëpërmjet portalit e-Albania, tashmë qytetari mund të aplikoje për secilin prej 51 shërbimeve të ZRPP-së në çdo kohë dhe çdo vend.

Menjëherë pas kryerjes së aplikimit dhe pagesës, qytetari për shërbimet e nivelit 4 mund të shkarkojë dokumentin e gjeneruar me vulë digjitale. Ky projekt synon të përmirësojë ndjeshëm shërbimin e ZRPP ndaj qytetarit duke rritur besueshmërinë, transparencën dhe duke ulur korrupsionin.

PCWA: Dixhitalizimi i “51 Shërbimeve të ZRPP në portalin e-Albania”, çfarë do të thotë kjo për shqiptarët?

Ermal Beqiri: 51 shërbimet e ZRPP, janë sherbime elektronike që përbëjnë një ndër pjesët më të rëndësishme të portalit eAlbania, pasi i krijojnë mundësinë qytetarëve apo bizneseve të marrin shërbimin e kërkuar pa shpenzuar kohë në zyrat e ZRPP si dhe duke evituar burokracitë e panevojshme.
Në këtë mënyrë, e-shërbimet synojnë të përmirësojnë disponueshmërinë, cilësinë dhe transparencën e shërbimeve publike si dhe të reduktojnë kohën e zbatimit të procedurave dhe kostot e administratës publike.

PCWA: Cili ka qenë qëllimi i implementimit të një projekti të tillë?

Ermal Beqiri: Qëllimi strategjik është ofrimi i shërbimeve të ZRPP për qytetarët nëpërmjet portalit unik qeveritar e-Albania. Nëpërmjet këtij projekti, qytetarët mund të aplikojnë nga kudo dhe kurdo. Gjithashtu, me implementimin dhe hyrjen në fuqi të vulës dixhitale, qytetari mund të shkarkoje direkt nga portali e-albania dokumentat hipotekorë të cilët do të kenë të njëjtën vlerë ligjore si dokumentat e gjeneruara nga vetë Institucioni.

PCWA: Cilat janë përfitimet e qytetarëve Shqiptarë?

Ermal Beqiri: Portali unik qeveritar, nëpërmjet ndërveprimit të të gjitha bazave të të dhënave shtetërore dhe ndërfaqësimit unik të tyre në një platformë të vetme, ofron shërbime elektronike në kohë reale, pa pasur nevojë që për të dhënat dytësore të kërkuara nga një shërbim, të drejtohesh pranë zyrave të ZRPP. Në këtë mënyrë, shmangen burokracitë nëpër zyrat në ZVRPP si dhe kursehet kohë jo vetëm nga ana e palës që kërkon shërbimin (qytetar, biznes, vizitor apo administratë publike) por dhe nga ana e punonjësve të ZRPP  që duhet të japin informacion në lidhje me hapat e procedurave apo dokumentacionit që nevojitet për përfitimin e një shërbimi.

PCWA: Cilat janë disa prej shërbimeve kyçe të ofruara?

Ermal Beqiri: Tashmë në portalin e-albania ofrohen 51 sherbimet e ZRPP, ndër të cilat më të kërkuarat janë :

  • Regjistrimi i akteve noteriale që lidhen ndërmjet zhvilluesit të pronës dhe pronarëve të truallit apo me subjektet e treta.
  • Regjistrimi ikalimit të pronësisë me anë të ligjit, me vendim të gjykatës, apo të një akti administrativ
  • Regjistrimi i kontratave të shitjes.
  • Regjistrimi i kontratës së dhurimit.
  • Regjistrimi i deklaratës për heqje dorë nga pronësia.
  • Regjistrimi i kontratës së shkëmbimit.
  • Regjistrimi i kontratës së qirasë apo nënqirasë.
  • Regjistrimi i aktit të trashëgimisë.
  • Kopje të vërtetuara të dokumenteve tekniko-ligjore, në të cilat bazohet regjistri i pasurive të paluajtshme / faqe.
  • Konsultimi i kartelës së pasurisë së paluajtshme
  • Verifikim online i gjendjes juridike të pronësisë dhe të dhënave të tjera të pasurisë së paluajtshme
  • Informacion zyrtar i pasurisë për individët dhe Institucionet
  • Lëshim kopje të fragmentit të hartës kadastrale.
  • Lëshim kopje kartele të pasurisë.
  • Lëshim vërtetimesh ( negativ/pozitiv ).
  • Lëshim çertifikate pronësie.

 

PCWA: Sa ka qenë kostoja e implementimit të këtij projekti?

Ermal Beqiri: Kostoja totale e implementimit të këtij projekti ka qenë 115 541 784 lek

PCWA: Si ka qenë numri i përdoruesve?

Ermal Beqiri: Numri i përdoruesve ka ardhur në rritje që nga fillimi i impementimit të këtij projekti. Aktualisht, ka rreth 9000 aplikime të kryera nga portali e-albania për llogari të ZRPP.

Këto shërbime a do të vijojnë të ofrohen edhe në sportelet krahas formatit online?

Ermal Beqiri: Për qytetarët do vazhdojnë të ofrohen shërbimet edhe në sportele. Duke patur parasysh që jo çdokush është i aftë të kryejë veprime online, qytetari përveç se nëpërmjet e-albania, mund të aplikojë dhe nëpërmjet noterëve apo sporteleve të ZRPP.

PCWA: Cilat kanë qenë sfidat e implementimit të këtij projekti?

Ermal Beqiri: Si çdo risi, dhe implementimi i këtij projekti ka pasur sfidat e veta. Vështirësitë më të mëdha janë hasur në ndjekjen e procedurave nga backend i Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Kjo, për vetë faktin se tashmë çdo procedurë ndiqet në formë dixhitale, duke u eleminuar dokumentat letër dhe mandatet e pagesave me të cilat janë kryer veprimet e mëparshme. Gjithsesi, tashmë kjo pengesë u tejkalua falë mirëmenaxhimit dhe përkushtimit për ta çuar deri në fund këtë proces.

 

PCWA: Si është planifikuar përmirësimi i shërbimit në të ardhmen?

Ermal Beqiri: Siç edhe dihet, ZRPP është në proces të vazhdueshëm dixhitalizimi të informacionit alfanumerik dhe atij hartografik. Mbyllja e procesit të dixhitalizimit do të përmiresojë ndjeshëm cilësinë e ofrimit të shërbimeve online, sidomos të shërbimeve të nivelit 4 që shoqërohen me gjenerim të menjëhershëm të dokumentave dixhitale.

PCWA: Të jesh Shërbimi Publik më i mirë i Vitit, çfarë do të thotë kjo për ju?

Ermal Beqiri: Vlerësimi si Shërbimi Publik më i mirë i vitit, parë në këndvështrimin e impaktit që ky projekt ka në përmirësimin e jetës së qytetarit, është një stimul shumë i mirë jo vetëm per mua, po për të gjithë ata të cilët kanë në dorë të japin kontributin e tyre në këtë drejtim.