ICT-AWARDS-Drejt-Finzalizimit-640x480

Aplikimet në konkursin mbarëkombëtar Albanian ICT Awards janë mbyllur zyrtarisht në orët e vona të dates 10 Prill. Më herët ju vumë në dijeni për shtyrjen e afatit të aplikimeve nga data 31 Mars në datën 10 Prill. Siç u kemi njoftuar më parë, me qëllimi ofrimin e kontributit në sektorin e ICT, ICTSmedia ka nënshkruar disa memorandume bashkëpunimi me institucione publike si Ministria e Inovacionit, Agjencia kombëtare e Shoqërisë së informacionit dhe disa institucione me rëndësi në Kosovë e Shqipëri. Duke marrë shkas nga kjo, mbrëmja Gala e ICT Awards u zhvendos në Javën e Inovacionit (11-17 Maj 2015).

Organizatorët e Albanian ICT Awards gjatë periudhës së aplikimeve mbajtën takime të shumta me studentë, akademikë, profesionistë dhe të apasionuar pas teknologjisë, duke e dërguar kudo mesazhin që mbart në vetvehte Albanian ICT Awards. Pati një numër të konsiderueshëm aplikimesh, dhe mbyllja e tyre na drejton drejt një tjetër proçesi mjaft të rëndësishëm siç është vlerësimi i projekteve të paraqitura nga aplikantët nga një juri e përzgjedhur. Këtë vit në panelin e jurisë janë:

* Altin Petre, CIO Digitalb
* Enkelejd Zotaj, CIO Raiffeisen Bank Albania,
* Kozeta Sevrani, Pedagoge në Shkencat Kompjuterike
* Mirlinda Karçanaj, Drejtoreshë e pergjithshme AKSHI
* Visar Jasiqi, AUK
* Agim Bekaj, Menaxher i Përgjithshëm i Microsoft për Shqipërinë
* Albert Tollkuci, CEO i Ikub
* Arsen Kurti, Zëvendës President pranë Infosoft Systems
* Erton Graceni, Këshilltar i Kryeministrit për sektorin ICT​
* Igli Gjelishti, Ekspert i shërbimeve web në Top Channel

Kjo juri do të mbajë takimin e saj të parë më 17 Prill, ku gjatë kësaj faze kandidatët e zgjedhur për konkurrim në Natën Gala do të kenë një takim me jurinë.

Kjo është faza e dytë e konkursit Albanian ICT Awards ndërsa do të finalizohet Natën Gala më 15 Maj në Hotel Sheraton ku do të shpallen fituesit në kategoritë: ICT Shërbimi Publik më i mirë i vitit, ICT Femra Inovatore e vitit, ICT Inovacioni i vitit, ICT Akademiku i vitit, ICT Mobiliteti i vitit, ICT Diploma e vitit dhe ICT Ylli në ngritje i vitit. Dy çmimet e para që kemi cituar më lart, janë risi e këtij viti pra kemi të bëjmë me shtatë çmime nga pesë që kanë qenë pjesë e konkursit në dy edicionet e para ku kategoria ICT Femra Inovatore e Vitit synon të promovojë rolin e femrës në botën e teknologjisë.

Albanian ICT Awards është më shumë sesa një konkurs, është edhe një mundësi afirmimi për të gjithë të apasionuari e botës së teknologjisë. Gjatë këtyre viteve që ky konkurs ka qenë pjesë e jona, vumë re një prirje për të kontribuar në jetët tona në sektorë të ndryshëm duke shfrytëzuar potencialin që të ofron teknologjia në ditët e sotme. Dhe Albanian ICT Awards nuk është këtu sa për të zgjuar kureshtjen e entuziastëve të teknologjisë, por edhe për të kontribuar në jetët e të gjithë shqiptarëve. Është një mision që ICTSmedia e ka marrë përsipër për tre vite dhe pa asnjë dyshim gjurmët e këtij konkursi mbarëkombëtar do ti gjeni edhe tek jetët e shqiptarëve. (PCWorld Albanian)